Në fushën e së drejtës tregtare: Pjesëmarrje në grupin e punës për hartimin e pjesës së parë të Kodit Tregtar dhe për ligjin për Shoqëritë Tregtare. Përgatitja e materialeve për krijimin e shoqërive tregtare dhe asistencë ligjore për kompani vendase dhe të huaja.
Në fushën e së drejtës kontraktore: Hartim dhe negociim kontratash me shoqëri të huaja. Këtu mund të përmendim kontratat e lidhura me shoqëri sipërmarrëse franceze për ndërtimin e Hidrocentralit të Komanit dhe Banjës, me shoqëri gjermane për ndërtimin e Uzinës së Nikel-Kobaltit, me shoqëri rumune për ndërtimin e Uzinës së vajrave lubrifikantë, me kompani kineze për ndërtimin e Uzinës së Uresë, me shoqëri italiane për ndërtimin e Qendrës së Vuajtjes së Dënimit në Peqin etj.
Në fushën e së drejtës ndërkombëtare: Pjesmarrje në negociim dhe hartim të dokumentave bazë të funksionimit të organeve e agjencive të OKB dhe organizatave të tjera ndërkombëtare. Pjesmarrje në negociimet për reformimin e OKB e sidomos të organeve të të drejtave të njeriut, për statusin e Organizatës Ndërkombëtare të Migrimit. Negociim të ratifikimit të Protokollit shtesë të Konventës kundër Torturës, pjesmarrje në grupin e punës për hartimin e një Protokolli shtesë të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat ekonomike, sociale e kulturore, në grupin e punës për krijimin e një instrumenti ligjor për dëmshpërblimin e viktimave të dhunimit të të drejtave ndërkombëtare të njeriut e të së drejtës ndërkombëtare, etj. Pjesmarrje në negociim për shtyrjen e detyrimeve të parashikuara në marrëveshjen e nënshkruar nga vendi ynë me OBT si shtyrja e datës së privatizimit të kompanisë së shërbimit të telefonisë fikse “Albtelecom” sh.a. Pjesmarrje në hartimin dhe prezantimin e raporteve të Shqipërisë përpara organeve të të drejtave të njeriut. Bashkepunim me OJQ te akredituara prane OKB dhe organizatave te tjera nderkombetare, më konkretisht në fushën e të drejtave të njeriut, të refugjatëve e të migrimit.
Në fushën e Turizmit: Pjesëmarrje në hartimin e ligjit për zhvillimin e zonave që kanë përparësi turizimin, të akteve nënligjore të dala në zbatim të tij dhe të vendimeve të tjera të Këshillit të Ministrave që kanë dalë në fushën e turizmit. Pjesëmarrje në hartimin e Strategjisë së Zhvillimit të Turizimit. Pjesëmarrje dhe asistencë për Komitetin e Zhvillimit të Turizimit. Negociim i marrëveshjeve të kredisë dhe atyre ndihmëse me BERZH, për rikonstruksionin e objekteve akomoduese e turistike si Hotel Tirana, Hotel Rogner si dhe fshatra turistikë.
Në fushën e Arbitrazhit: Përgatitja e praktikave dhe përfaqësimi i subjekteve në gjykimet para institucioneve të huaja të arbitrazhit si në Bukuresht, Beograd, Budapest, dhe pranë Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë në Paris, etj. Pjesëmarrje si arbitër në arbitrazhin pranë Dhomës së Tregtisë Tiranë.
Në fushën e përafrimit të legjislacionit me BE-në. Pjesëmarrje në grupin teknik të Programit të BE-së (programi PHARE) për projektin e Përafrimit të Legjislacionit me BE-në.
Në fushën financiare e bankare: Analizimi dhe vlerësimi ligjor për ligjin për buxhetin e shtetit, për taksat dhe tatimet në Republikën e Shqipërisë, për biznesin e vogël, për taksat vendore dhe për mallrat që i nënshtrohen pagimit të akcizës. Oponencë në hartimin e Kodit Doganor dhe të akteve nënligjore të dala në zbatim të tij. Oponencë në hartimin e ligjit për tarifat doganore. Pjesëmarrje në hartimin e ligjit për Bankën e Shqipërisë, për sistemin bankar dhe akteve rregullatore të Bankës së Shqipërisë.
Në fushën e konkurrencës: Përgatitje e dokumentacionit për shoqëritë lidhur me njoftime të përqëndrimit, të plotësimit të formularit për njoftim të përqëndruar dhe mundësinë për njoftim të thjeshtuar, si dhe për parandalimin e marrjes së gjobave administrative për shkeljen e konkurrencës në treg.
Në fushën e prokurimeve publike: Pjesëmarrje në hartimin e akteve nënligjore për zbatimin e ligjit për prokurimin publik. Bashkëpunim në hartimin e dokumenteve standarte të tenderit për ndërtime, blerje dhe shërbime. Asistimi i shoqërive të ndryshme në procesin e përgatitjes së dokumenteve standarte të tenderit për aplikim në një proces konkurimi.
Në fushën e etikës dhe konfliktit të interesit: Hartimi i rregulloreve dhe asistimi i procesit të deklarimit të pasurive në Shqipëri. Pjesëmarrje në hartimin e projektligjit për konfliktin e interesit. Pjesëmarrje në Grupin Ndërministror të Monitorimit Antikorrupsion pranë Këshillit të Ministrave. Bashkëpunim edhe me OJF të ndryshme.
Në fushën e sistemit zgjedhor: Monitorimi dhe asistimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për procesin zgjedhor 2001. Përfaqësim i KQZ-ës në Gjykatën e Apelit dhe në Gjykatën Kushtetuese. Pjesëmarrje në hartimin e akteve rregullatore të KQZ-ës për procesin zgjedhor në zgjedhjet për në Kuvend për vitin 2001. Pjesëmarrje në hartimin e strategjisë së planit të veprimit për zgjedhjet vendore 2003. Bashkëpunim në projektin për zgjedhjet të organizuar nga IFES. Hartimi i disa temave të trajnimit për procesin zgjedhor në vend. Pjesëmarrje në Grupin e Punës për rishikimin e Kodit Zgjedhor të organizuar nga OSBE për zgjedhjet vendore 2003.
Në fushën e decentralizimit dhe pushtetit vendor: Pjesëmarrje në projektin e KE-së për hartimin e Strategjisë së Trajnimit të Organeve Vendore. Pjesëmarrje në hartimin e ligjit për gjendjen civile në Republikën e Shqipërisë, të akteve rregullatore të miratuara nga Këshilli i Ministrave për Rezervat e Shtetit, për Policinë e Mbrotjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, për regjistrimin e pronave publike dhe inventarizimin e tyre etj. Bashkëpunim për një sërë projektesh me organizata jo fitimprurëse. Pjesëmarrje, me cilësinë e avokatit, në Zyrën e Avokatit të Qytetit në Bashkinë e Tiranës.
Në fushën e teknologjisë së informacionit: Pjesëmarrje në hartimin e analizës ligjore dhe të rekomandimeve të Strategjisë së Teknologjisë së Informacionit në Shqipëri financuar nga PNUD.
Në fushën e përfaqësimit: Pjesëtarë të zyrës kanë përvojë në përfaqësimin e klientëve në të gjitha shkallët e gjykimit si dhe përpara Gjykatës Kushtetuese.